Janari ka nisur qetë. S’ka si të jetë ndryshe për stadiumin numër 1 në Shqipëri, përderisa futbolli ka ndaluar deri në 14 janar, ndërsa është koha për bilancet. Drejtori i “Arenës Air Albania”, Keidi Tomori, tregon përvojën kryesore të 2022-it. “Kulmi ishte finalja e Ligës së Konferencës, ku patëm edhe detyra me të cilat nuk ishim mësuar, si heqja e stolave nga një pjesë e madhe tribune për studiot televizive, apo faktin që UEFA solli regjinë dhe gjithçka të vetën me furnizim energjie me gjeneratorë, duke mos pasur besim tek sistemi ynë energjetik”. Një impiant luksi padyshim që ka faturë të lartë mirëmbajtjeje.
“Federata financon me 40-50 për qind të sasisë totale financiare që duhet, – thotë Tomori, – nuk mjaftojnë as ndeshjet e kampionatit, as ato të kombëtares, as aktivitete jashtë futbollit. Do të vendosim panele diellore mbi tribuna, investim 1 milionë euro, por që del për 7-8 vjet, dhe mund të kursejmë energji, madje edhe ta shesim”. Kur vjen puna tek shqetësimet, problemi numër 1 është derbi me dhunën dhe dëmtimet “Janë thyer stola, janë hedhur flakadanë, duke rrezikuar jetën e njerëzve, – thotë ai, – do të vendosim rrjeta pas portave. Është shumë e vështirë të ndalosh tifozët të fusin flakadanë e fishekzjarrë, pasi mendojnë në mënyrë shumë krijuese. Kanë njohje, sepse jemi vend i vogël. Edhe në finalen e Ligës së Konferencës patëm probleme. Klubet marrin pak roje private, duan të kursejnë”.
Sfidanti.al