Arabia Saudite po synon të ngrejë futbollin “në qiell” me projektin futuristik “Sky Stadium”, një strukturë spektakolare që do të ndërtohet në qytetin teknologjik The Line dhe pritet të mirëpresë ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit 2034.
Stadiumi, me kapacitet prej 46 mijë spektatorësh, do të inaugurohet në vitin 2032, dy vite përpara fillimit të turneut, dhe do të jetë i pezulluar në një lartësi që sfidon çdo logjikë inxhinierike. Ky projekt është pjesë e planit gjigant urbanistik të The Line – qyteti linear në bregun veriperëndimor të vendit – që synon të shtrihet në vetëm 34 kilometra katrorë, por të strehojë deri në nëntë milionë banorë.
Nëse në vitin 2022 bota u mahnit me stadiumet e Katarit, Botërori i vitit 2034 pritet të çojë spektaklin e futbollit në një tjetër dimension. Për shkak të Ramazanit, që do të përkojë me muajt nëntor–dhjetor 2034, FIFA po shqyrton mundësinë që turneu të zhvillohet në dimrin e 2034-s ose në fillim të vitit 2035, për të respektuar muajin e shenjtë të Islamit.
Një projekt që bashkon ambicien, teknologjinë dhe kulturën, dhe që pritet të kthehet në një nga simbolet më mbresëlënëse të Botërorit të ardhshëm.

