Anglia ndaj Madridit, por Liverpuli kthehet në “fushën e ëndrrave”!

Tifozët liverpulas theksuan menjëherë në rrjetet sociale se ata do të shkojnë në “këndin e tyre të lojrave”, pra në stadiumin ku fituan Championsin në fund të sezonit të kaluar. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop u çiftua me Atletikon, dhe ndeshja e parë do të luhet pikërisht në “Uanda Metropolitano” të Madridit, aty ku u fitua finalja e Ligës së Kampionëve ndaj Totenhemit. Gjithsesi, formacioni i trajnerit Diego Pablo Simeone do të jetë një lloj i ri sfide, që nuk është provuar më parë nga të kuqtë. E disiplinuar, e fortë në mbrojtje dhe me lojë të ashpër, Atletiko nuk do të jetë e lehtë për t’u hequr qafe. Pak rëndësi mund të ketë fakti se Liverpuli po fluturon në Premier Ligë, dhe bardhekuqtë po vuajnë në La Liga.

Madridi është kryqëzimi jetësor edhe për skuadrën tjetër angleze, Mançester Siti, që pritet ta ketë tepër të vështirë ndaj Realit. Siti jepet favorit për fitoren e Championsit, përpara Liverpulit e Barcelonës, por Reali mbetet Real, edhe pse jepet si pretendenti numër 7. Dy skuadrat e tjera angleze do të kenë sfidë gjermane. Çelsi, tepër të vështirë ndaj Bajernit, dhe Totenhemi kundër Lajpcigut. Përtej udhëtimit të vështirë, dhe përtej faktit se Lajpcigu ka shumë para dhe ka sulmuesin Timo Verner, besohet se nënkampionët e Europës do ta nderojnë Zhoze Murinjon, që ëndërron ta fitojë sërish Championsin, pas triumfeve me Porton dhe Interin.

Sfidanti.al