Kryefjala e ditës në Spanjë është Reali i Madridit, dhe trajneri i tij italian. Askush nuk e priste që një ekip që jepej në krizë sportive, dhe që nuk mori dot “galaktikun” që e kërkoi aq shumë, Kilian Mbapenë, të krijonte një festival të vërtetë golash dhe fitoresh. Karlo Ançeloti ngacmohet se çfarë magjie i bën ekipit të tij.“Unë ndihmoj ekipin me përvojën time, por nuk bëj asgjë më shumë, – thotë ai, – përpiqem t’i orientoj e t’i këshilloj lojtarët e mi, bëj gjithçka mundem për t’i dhënë besim, por është e lehtë sepse kam futbollistë me nivel të lartë, me karakter që mësojnë shpejt”.
Kënaqësia ishte e madhe për 3 golat e Marko Asensios, lojtarit më të kritikuar të ekipit. “Marko bëri një ndeshje shumë të mirë, – u shpreh Ançeloti, – Asensio mund t’i bëjë shumë dëm kundërshtarëve në atë pozicion sepse ka shumë cilësi për të vepruar ndërmjet linjave, gjuan shumë mirë, kombinon shumë mirë. Shpresojmë që javën që vjen të shënojë sërish 3 gola”. Gjithsesi, analistët theksuan se Asensio duhet të luajë në qendër, sepse në krah loja e tij humbet, por kjo nuk është e lehtë në një ekip të tillë.
Sfidanti.al