Fjalia ishte si gjithë të tjerat që dëgjohen në raste të tilla, aq sa bëhen të bezdishme. Aleksis Sançez u shpreh se “që kur isha djalë fare i ri, ëndrra ime ishte që të luaja për Mançester Junajtid”. Gënjeu (pa të keq) si shumë të tjerë? Më në fund, jo! Një përdorues i Tuiterit, me emrin “Këndi i poetëve” (Poets Corner) postoi një foto të Aleksis Sançezit në moshë shumë të re, në krah të një miku të tij, ndërsa kishte veshur një xhaketë sporti me stemën e Junajtidit të stampuar në të.
Sançez këmbënguli se kishte dashur gjithnjë Junajtidin, madje sqaroi se kishte biseduar shumë vite më parë me Sër Aleks Fergusonin që t’ia jepte këtë mundësi. Karriera e tij, megjithatë, vazhdoi tek Barcelona (aspak keq, apo jo?) dhe tek Arsenali, përpara sesa dëshira e tij të plotësohej. Murinjo e vlerësoi lart sulmuesin nga Kili, jo vetëm për rrogën e jashtëzakonshme, por edhe për faktin se i dha fanelën me numrin 7, një nga më të famshmet për “djajtë e kuq”, që e kanë veshur me radhë Brajan Robsoni, Erik Kantona, Dejvid Bekami apo Kristiano Ronaldo, por edhe të shquar të tjerë si Majkëll Ouen apo Angel Di Maria.
Sfidanti.al