Alarmi në kampin e Partizanit, Egnatia i tregoi “limitet”

Dy gola, një prej të cilëve spektakolarë, avantazh i të kuqve dhe një penallti e pritur prej Alban Hoxhës por në fund foli paqja. Partizani dhe Egnatia respektuan pritshmëritë e tifozëve për këtë sfidë që në letër duhej të ndiqej nga një stadium plot pasi njerëzit kishin blerë gabimisht të gjitha biletat e sfidës në të njëjtën faqe ku në kohë rekord u shitën edhe biletat e kombëtares. Bintsuka krijoi iluzionin e Partizanit të pacënueshëm po Egnatia u rikonfirmua për të tretën herë këtë sezon se fjalët për të hyrë minimalisht në finalen katërshe, nuk janë hedhur në erë. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova e ndihmuar edhe nga një grup më i kompletuar e me eksperiencë nfga sezoni i kaluar dhe Europa, e vendosi e jo pak në vështirësi Partizanin.

Trajneri Zekic i kushtëzuar edhe nga mungesat dhe gjendja jo në top formë e skuadrës, e pa vetën në vështirësi dhe jo rastësisht pas ndeshjes i bëri me dije skuadrës se ndeshjet fitohen në fushë e jo jashtë saj. Mungesa “full-time” e Christian Mba u ndie ndërsa pritja e Hoxhës përballë njeriut më të frikshëm të momentit është simbol i karakterit që i ka mbrujtur Partizani kapitenit të tij në këto vite. Të kuqtë ngjiten në kuotën 5, dy pikë më pak se se rrogozhinasit por ky duel projektohet i fortë deri në fund të sezonit dhe me siguri që trajneri kroat i kampionëve i ka mbajtur mirë shënimet.

sfidanti.al