Ajaksi “buzëqumësht” shkëlqen me Xhastin Klaivertin!

Dy trajnerët Marsel Kaizer dhe Denis Bergkamp mund të jenë shkarkuar, por Ajaksi edhe pse “buzëqumësht” mbetet një histori e madhe. Në fushë, në ndeshjen ndaj Vilem II-it, ishin një 18-vjeçar i quajtur Xhastin Klaivert, dhe dy 20-vjeçarë me emrat David Neres dhe Kasper Dolberg, dhe këta mjaftuan për fitoren. Shifrat ishin 3-1, edhe pse miqtë kryesuan të parët, pastaj shënoi Klaivert, Dolberg i ndihmuar nga Neres, dhe në fund vetë Neres.

Me dy lojtarë mbi 30 vjeç, disa pak në moshën 25-28-vjeçare, dhe pjesën tjetër nga 18, 19, 20 e 22 vjeç, skuadra e “heshtëtarëve” është vërtet shumë e re, dhe është një mrekulli që filozofia e saj e futbollit e bën të matet me ekipe shumë më të pjekur si PSV Ajndhoveni, AZ Alkmar apo Fejënord.

Fitorja bëri që të ruhej diferenca prej 5 pikësh me kryesuesen PSV, ndërsa golaverazhi është më i mirë se Ajndhoveni, me 51 gola të shënuar (3 për ndeshje) dhe vetëm 16 të pësuar. PSV e ka 47-20. Xhastin Klaivert është djali i ish-ylli të Holandës, Ajaksit, Milanit dhe Barcelonës, Patrik Klaivert.

Sfidanti.al