Abah nis përsëri stërvitjen me Tiranën, tre lojtarë rrezikojnë derbin

Abel Aban është në dispozicion të trajnerit Bledi Shkëmbi, ndërsa Aldi Gjumsi vazhdon të mos stërvitet dhe do ta humbasë Elbasanin. Edhe në këtë sfidë të javës së 23-të, problem do të jenë mungesat që do të ketë ekipi. Kështu, është e sigurt, që Emanuel Ernest do të mungojë për shkak të kartonit të kuq të marrë në sfidën me Bylisin, pas pamjeve VAR. Bardheblutë shpresojnë që sulmuesi të mos dënohet më shumë se dy javë, sepse në të kundërt humbet sfidën me Partizanin. I dyti lojtar që nuk do të jetë është Ismajli. Mesfushori ka një tërheqje dhe humbet tre javë kampionat. Me shumë mundësi kthehet pas derbit. Në të njëjtën situatë është edhe Rimal Haxhiu. Edhe sulmuesi do të mungojë tre javë dhe nuk do të jetë as në sfidën derbi. Me Gjumsin bëhen katër të dëmtuar.  Tirana do të ketë një shqetësim plus në sfidën me Elbasanin. Bëhet fjalë për tre lojtarë titullarë. Ata janë Ndreca, Prengaj dhe Përgjoni. Të tre janë me nga 3 kartonë të verdhë dhe nëse ndëshkohen edhe në sfidën me verdheblutë, do të plotësojnë numrin 4 të ndëshkimeve. Kjo do të thotë se do të mungojnë në ndeshjen derbi ndaj Partizanit për javën e 23-të të Superiores.

sfidanti.al