U desh të kishte edhe fatin me vete, por si i bëhej ndryshe që të shënonte pas vetëm 7 sekondave. Sulmuesi i Sauthemptonit, Shejn Long, theu rekordin e golit më të shpejtë në Premier Ligë, pasi realizoi menjëherë në fushën e Uatfordit. Vendasit nisën topin nga qendra, por Long bëri presion ndaj njërit prej mbrojtësve, topi iu përplas në trup, dhe ai arriti ta kontrollonte dhe ta dërgonte në rrjetë mbi trupin e portierit.
Ky është një përmirësim me 30 për qind nga rekordi i mëparshëm i Premier Ligës, mbajtur nga ish-mbrojtësi i Totenhemit, Ledli King, shënuar pas 10 sekondash në vitin 2000, ndaj Bredfordit.
Po ashtu, ky rekord i Premier Ligës arriti të barazonte rekordin e Superligës shqiptare, mbajtur nga sulmuesi në atë kohë i Tiranës, Migen Memelli, shënuar ndaj Flamurtarit, pas 7 sekondash në vitin 2009, në ndeshjen që përfundoi 3-0 për bardheblutë. Gjithsesi, këta rekorde janë ende larg nga goli më i shpejtë në botë shënuar pas vetëm 2 sekondash, në dy raste, nga Nauaf Al Abed në 2009 dhe Endrju Alston në 2017.
Sfidanti.al