Është moment feste, dhe duket se nuk mendohet për asgjë tjetër. Tirana e fitoi titullin, tani po përgatitet për festën e 100-vjetorit, e po kënaq tifozët e krenarinë e saj me këngë e filmime të lagjeve të vjetra, por klubi e di mirë se e ardhmja vjen shpejt. Triumfi në Superligë pas 10 vjetësh pritjeje, nuk mund të lihet me kaq, dhe planet janë të mëdha për suksesin në Europë, ndaj edhe duhen financa më të fuqishme.
Burime pranë klubit bardheblu bëjnë me dijë se këtë verë do të afrohen sponsorë të tjerë, që do të ndihmojnë me miliona, përveç shpenzimeve të presidentit Refik Halili. Do të synohet as më shumë e as më pak, të përsëritet ajo që bëri Skënderbeu i trajnerëve Josa e Daja, dhe i presidentit Takaj, që arriti dy herë në fazën e grupeve në kupat kontinentale. Nuk dihet ende kur janë këta sponsorë, ndërsa nja një vit e gjysmë më parë, vetë Halili e lajmëroi një gjë të tillë.
Kanë kaluar gati 15 vjet që kur kryeqytetasit kishin një ekip të denjë për të synuar kualifikimet, edhe pse futbolli shqiptar nuk guxonte të mendonte për fazën e grupeve. Ndeshjet shumë të mira ndaj Ferencvaroshit të Hungarisë, Nacionalit të Bukureshtit, Apollonit të Limasolit, Dinamos së Tbilisit apo CSKA-së së Sofjes janë një kujtim i largët, por Tirana e sotme kërkon më shumë.
Pritet të ketë përforcime nga Maqedonia e Veriut, Hungaria, Izraeli e nga Skënderbeu, ndërsa financat besohet se do të bëhen edhe më të forta me transferimin e disa të rinjve të Akademisë, mes të cilëve edhe Ernest Muçi, autor i disa golave ndaj Partizanit në derbi.
Sfidanti.al