6-0! Spanja i jep fund ciklit të Joakim Lëvit tek Gjermania!

Kishte gati 90 vjet që nuk provohej një gjë e tillë. Për herë të fundit, një humbje 0-6 Gjermania e kishte pësuar në një miqësore me Austrinë në 1931, ndërsa papritur kuptoi se kjo gjë mund t’i ndodhte përsëri. Ndodhi në fakt, si një pasqyrim i përmbysur i triumfit më të madh të historisë së futbollit gjerman, fitores 7-1 ndaj Brazilit në Kupën e Botës 2014 pikërisht në Brazil. Ishte Spanja që dërrmoi “manshaftin” duke i “ngulur gozhdët në qefinin” e epokës së Joakim Lëvit. Ende nuk flitet për një shkarkim të tij, e ndoshta Lëvi do të jetë në krye të kombëtares edhe gjatë finaleve të Europianit, por “bileta” duket se është prerë. Spanja e Luis Enrikes ndërkaq shkoi në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, duke eleminuar gjermanët.

Lojtari i Mançester Sitit, Ferran Torres, ishte heroi kryesor i spanjollëve në Sevilje duke shënuar 3 gola, ndërsa nga një herë realizuan Alvaro Morata, Rodri Hernandez dhe Mikel Ojarzabal. Gjermania e nisi ndeshjen me lojtarë nga më të mirët si Nojer, Zyle, Kros, Gyndogan, Gorecka, Gnabri, Sane e Verner, por asgjë nuk i bëri punë. Aq e vërtetë kjo saqë aksionin e parë të vërtetë në pjesën e dytë skuadra e Lëvit e bëri në minutën e 71-të. Tashmë u lanë pas humbjet 1-5 me Anglinë në 2001 në Mynih dhe 3-8 me Hungarinë në fazën e grupeve në Kupën e Botës 1954. Me gjasë, tani duhet menduar rindërtimi, dhe as boshti i Bajernit nuk mjafton përderisa disa nga yjet e bavarezëve janë të huaj. Natyrisht, mungesa të tilla si Haverc apo Kimih u ndjenë, por jo për të humbur 0-6. Spanja ndërkaq shfaqi karakterin e trajnerit të saj, Luis Enrikes, të aftë për të bërë shpërthime të tilla. Gjithsesi, fitorja u errësua disi nga dëmtimi i Sergio Ramosit.

Sfidanti.al