Viti 2024 me siguri do të kujtohet gjatë nga Egnatia por edhe Dinamo City dhe Tirana. Gjatë 12 muajve të fundit, Kombëtarja eklipsoi çdo problem apo skorje të futbollit në vend dhe të tilla ka shumë. Duke lënë mënjanë kategoritë inferiore ku futbolli merr trajtat e betejave mes lagjeve fokusphemi pak te Superiorja e të mëdhenjve.
Nëse Egnatia mund të cilësohet një anomali në gjithë botën e trazuar të lojës së futbollit në vendin tonë, Dinamo City dhe Tirana janë një normalitet. Suksesi i Egnatias i ngritur përmes një strategjie dhe vizioni të qartë, bie në kundërshtim me rregullin e pashkruar të Superiores ku çdo fenomen është një anomali më vete. Dinamo City ndryshoi emrin pa asnjë penalitet edhe pse në raste të ngjashme, klube edhe më të lavdishëm si Glasgow Rangers e kanë pësuar keq ndërsa Skënderbeu nuk e tentoi një gjë të tillë vetëm e vetëm për të mos u rinisur nga Kategoria e Tretë.
Sot “nëndetësja” e kaltër dhe jo më blu, gëzon reputacionin e klubit pretendent por pa një qytet e një shtëpi edhe pse mbështetjen e ka gjetur në selinë e FSHF-së ku tashmë duket se është miku i preferuar. Muaji i mjaltit në godinën e “fildishtë” me Egnatian, Partizanin, Tiranën, Laçin apo Vllazninë duket se ka përfunduar sepse tashmë të gjithë nën zë e pranojnë që në “elitat” drejtuese Dinamo…e Durrësit apo e Tiranës ruan pozita preferenciale.
Në krahun tjetër, nëse Refik Halili i Tiranës gëzonte pozita komode në tablonë e futbollit superior pak vite më parë, sot e shikon veten pa një shtëpi, me një mal borxhesh dhe për më tepër pa një skuadër që të mbështesë ambicjet e tifozëve. Tirana sot është në pikë të hallit dhe nuk bëhet fjalë vetëm për renditjen aktuale e flirtimin me Kategorinë e Parë. Bardheblutë nuk kanë një shtëpi ku të luajnë ndeshjet si pritës ndërsa e ardhmja premton shumë telashe në aspektin financiar. Klubi bardheblu, ndryshe nga Dinamo City, ka një qytet por jo një të ardhme të qartë dhe viti 2024 nxorri në shesh anën e shëmtuar të klubit më të titulluar në vend që pas shumë vitesh i strukur mes gënjeshtrave, tashmë duhet të bëjë llogaritë me realitetin.
Nga Pirro Bardhyli