Mehmeti rikthehet në “shtëpi”

Dritan Mehmeti është trajneri i ri i Dinamo City-t, ndërsa rikthehet në skuadrën, të cilën sezonin e kaluar e ngriti nga Kategoria e Parë në Superiore, e madje një pjesë të mirë të periudhës përgatitore në Pogradec e disa ndeshje miqësore Dinamo i kreu me Mehmetin në krye, ndërsa më pas u zëvendësua nga Di Biagio, i cili të dielën pas humbjes me Teutën dha dorëheqjen. Disi e çuditshme ardhja e Di Biagios, sepse pa përfunduar kampionati i Kategorisë së Parë, Mehmeti ishte konfirmuar nga presidenca që do të ishte në krye të bluve.

Dritan Mehmeti ishte trajneri i të rinjve të Akademisë së Dinamos. Nuk është hera e parë që drejton blutë, teksa fillimisht e ka drejtuar më 2012-ën. Më pas dy vite radhazi 2013-2015 ka qenë në krye të bluve e në periudha të ndërmjetme ka qenë trajneri i Korabit, ndihmëstrajner i Partizanit, apo dhe trajner i të kuqve. Jo pak në vite të mëparshme ka qenë edhe trajneri i moshave të Dinamos. Edhe si futbollist ka luajtur për Dinamon, sikurse ka luajtur me Erzenin, Shkumbinin, Partizanin e Besën.

sfidanti.al