Sa herë që afrojnë Asambletë Zgjedhore, në FSHF shpikin iniciativa të stisura, të cilat janë gjithmonë në funksion të së ardhmes së kryetarit. Kështu, në fillim u sajuan ndryshime në statut, për të përcaktuar votues të emëruar, gjithçka për të siguruar një fitore më të lehtë të drejtuesve aktualë. Më pas u thirrën në një çarter presidentë e kryetarë bashkishë, për një eskursion turistik në Budapest. Ndërsa prej kohësh është miratuar ideja e 100 fushave, që ngjan më shumë me citatet filozofike të Mao Ce Dunit.
E vërteta është, se futbolli ynë funksionon si në asnjë vend tjetër të botës dhe mbi të gjitha me formatin e shprehjes ironike të Geri Lineker: “Futbolli është një sport ku luajnë 11 vetë kundër 11 dhe në fund fiton gjithmonë Gjermania”. Deri tani janë luajtur 27 ndeshje të kategorisë Superiore, ndërkohë që 13 prej tyre në fusha asnjëanëse, për arsye nga më të ndryshmet. Diku impiantet i janë nënshtruar rikonstruksioneve, ndërsa diku tjetër, skuadrat, pavarësisht nga emri dhe historia që përfaqësojnë, nuk kanë një stadium të tyren. Dhe për të plotësuar këtë paradoks të kohës, kur në gati 50% e ndeshjeve, ekipet që janë vendase sipas kalendarit janë mësuar me faktin e të qenurit nomadë, për derbin është kërkuar me insistim hapja e plotë e stadiumit Kombëtar, duke injoruar masat anti-Covid. Kështu, meqenëse edhe fusha e Elbasanit po riparohet pas një stërmundimi të jashtëzakonshëm, do të luhet çdo ditë në Rrogozhinë, për t’I dhënë kështu udhë projektit entuziast kinez të 100 fushave dhe 100 pranverave…