FIFA nën akuza për zhvatje

Një tjetër polemikë e madhe ka shpërthyer rreth FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, këtë herë për çmimet shumë të larta të biletave të Botërorit 2026. Sipas mediave amerikane, FIFA po akuzohet për krijimin e një “mungese artificiale” të biletave me qëllim rritjen e çmimeve, ndërsa shtetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë nisur një hetim zyrtar ndaj organizatës. Situata është përshkallëzuar edhe më shumë pasi kongresistja amerikane, Sydney Kamlager-Dove, ka kërkuar që Infantino të paraqitet përpara Kongresit të SHBA-së për të dhënë shpjegime. Ajo e cilësoi politikën e FIFA-s si “zhvatje totale”, duke e krahasuar me skena nga filmi “The Godfather”.

Pak javë para nisjes së Botërorit, çmimet e biletave kanë arritur nivele tepër të larta. Për shembull, bileta më e lirë për ndeshjen mes Anglisë dhe Kroacisë kushton rreth 620 euro, ndërsa ato më të shtrenjtat arrijnë deri në 1.700 euro. Autoritetet amerikane pretendojnë se FIFA po përdor sistemin e çmimeve dinamike pa transparencë dhe pa shpjegime të qarta për tifozët. Hetimet po fokusohen gjithashtu te rritja drastike e çmimeve për finalen e Botërorit, ku biletat që fillimisht kushtonin rreth 5.800 euro kanë arritur tashmë në afro 9.500 euro.

Kongresistja Kamlager-Dove deklaroi se 69 përfaqësues amerikanë i kishin dërguar më herët një letër FIFA-s duke kërkuar masa korrigjuese, por sipas saj organizata nuk ka reaguar. Nga ana tjetër, FIFA mbron politikën e saj të shitjes së biletave. Infantino ka deklaruar se të ardhurat e pritshme prej rreth 11 miliardë eurosh do të investohen në zhvillimin e futbollit në mbarë botën. Presidenti i FIFA-s argumenton gjithashtu se çmimet e larta janë normale për eventet e mëdha sportive në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kritikat ndaj FIFA-s po shtohen dita-ditës, ndërsa shumë tifozë dhe politikanë amerikanë kërkojnë më shumë transparencë dhe çmime më të përballueshme për turneun më të madh të futbollit në botë.