Anglia shqetësohet nga shpërthimi i fruthit në SHBA

Kombëtarja e Anglisë po ndjek me vëmendje situatën shëndetësore në Shtetet e Bashkuara përpara Kupës së Botës 2026, mes frikës për një përhapje të madhe të fruthit gjatë turneut. Sipas mediave britanike, rritja e rasteve të sëmundjes është përfshirë në udhëzimet e sigurisë që u janë shpërndarë të gjitha kombëtareve pjesëmarrëse. Një nga zonat më të prekura është Teksasi, aty ku Anglia do të luajë ndeshjen e saj të parë ndaj Kroacisë më 17 qershor. Ekspertët paralajmërojnë se stadiumet e mbushura me dhjetëra mijëra tifozë mund të krijojnë kushte ideale për përhapjen e virusit, i cili konsiderohet një nga më ngjitësit në botë.

Megjithatë, FIFA nuk ka vendosur vaksinim të detyrueshëm për lojtarët dhe stafet, pavarësisht raportimeve të ndryshme. Burime pranë organizatës bëjnë të ditur se janë dhënë vetëm rekomandime dhe këshilla për mbrojtjen shëndetësore të delegacioneve. Sipas të dhënave të fundit, SHBA po përballet me një nga valët më të mëdha të fruthit në dekada.