Zinedine Zidane thuhet se kishte një klauzolë të veçantë në kontratën e tij me Real Madridin, e cila u është dhënë vetëm edhe tre lojtarëve të tjerë. Zidane dhe Real Madridi janë të lidhur ngushtë për shkak të suksesit të francezit si lojtar dhe trajner gjatë periudhave të ndryshme në kryeqytetin spanjoll. Në vitin 2001, “Los Blancos” e transferuan fituesin e Kupës së Botës 1998 nga Juventusi për një shumë rekord në atë kohë prej 77.5 milionë euro.
Gjatë pesë sezoneve të tij si lojtar i Real Madridit, ‘Zizou’ ndihmoi klubin të fitonte gjashtë trofe të mëdhenj – një Ligë të Kampionëve, një Kupë Ndërkontinentale, një Superkupë Europe, një titull të La Ligës dhe dy Superkupa të Spanjës, përpara se të pensionohej në vitin 2006. Ai ishte pjesë e skuadrës legjendare të njohur si “Galaktikët”, e ndërtuar gjatë mandatit të parë të presidentit Florentino Perez (2000–2006). Sipas “The Guardian”, Zidane do të fitonte rreth 4.1 milionë euro në vit pas taksave, ose afërsisht 1.3 milionë euro në muaj.
Një vit më parë, Luis Figo kaloi nga Barcelona te Real Madridi në një nga transferimet më të diskutueshme në histori. Deri në vitin 2002, Ronaldo Nazario, dy herë fitues i Topit të Artë, kaloi nga Inter te Real Madridi, ndërsa David Beckham iu bashkua nga Manchester United në vitin 2003. Sipas një raporti nga “Marca”, i përcjellë nga “The Guardian”, të katër këta lojtarë – Zidane, Figo, Ronaldo dhe Beckham, kishin një klauzolë të rrallë për të drejtat e imazhit në kontratat e tyre. Klauzola u garantonte atyre 40 për qind të të ardhurave nga çdo marrëveshje reklamimi, ndërsa klubi mbante 60 për qind. Sipas firmës ligjore Brabners, të drejtat e imazhit janë marrëveshje komerciale që mbrojnë të drejtën e një lojtari për të kontrolluar, licencuar dhe shfrytëzuar aspektet që lidhen me pamjen, personalitetin dhe emrin e tij, si dhe për të ndaluar përdorimin e paautorizuar nga palë të treta.
sfidanti.al