Vitin e jashtëzakonshëm Lindelofi do ta kurrorëzojë me megatransferimin te ManU-ja

Mediumet në Portugali vënë në dukje se mbrojtësi 22-vjeçar i Benfikës së Lisbonës, Viktor Lindelof, është një hap larg shpërmguljes së tij për në “Old Traford”, në kuadrin e një marrëveshjeje me vlerë prej 45 milionë eurosh. Kështu, Lindelofi i talentuar ka shumë mundësi që vitin e jashtëzakonshëm për të ta përfundojë me një megatransferim te ManU-ja. Duhet të theksohet se sezonin 2015-2016 ky futbollist e filloi si opsioni nr.4 për pozicionin qëndror në mbrojtjen e Benfikës. Por, pas dëmtimeve që pësuan kapiteni Luisao dhe Lisandro Lopez, në janar, këtij lojtari suedez iu krijua shansi që të tregonte se çfarë dinte të bënte në fushë.

Dhe Lindelofi e shfrytëzoi në maksimum shansin që iu dha dhe, brenda një kohe të shkurtër, ai e çimentoi vendin e vet në ekipin e parë dhe me lojrat impresive që zhvilloi, ai tërhoqi vëmendjen e klubeve të mëdha anekënd Evropës. Verën e kaluar, sikurse thuhet, Benfika i refuzoi disa oferta, por, sipas informacioneve të fundit, ekipi kampion i Portugalisë ka rënë dakord me Mançester Junajtidin për një transferim të tij te ky i fundit për një shumë prej 45 milionë eurosh. Ky futbollist, sikurse bëhet e ditur, do të marrë një pagesë prej 3,5 milionë eurosh në vit, ndërkohë që ndeshja me pjesëmarrjen e tij te Benfika kundër Rios Aves ishte e fundit në kampionatin portugez. Kjo aferë do të jetë mjaft e leverdisshme për Benfikën që e ka blerë Lindelofin për vetëm 60 000 euro!

Sfidanti.al