Vinicius, rinovimi me Real ende larg

Rinovimi i Vinicius Junior me Real Madridin vazhdon të mbetet çështje e hapur, edhe pse palët duken të orientuara drejt një marrëveshjeje. Sulmuesi brazilian ka kontratë deri në vitin 2027, ndërsa bisedimet për zgjatjen e saj u pezulluan gjatë verës, pas takimit të fundit në Valdebebas menjëherë pas Kupës së Botës për Klube.

Pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur pas “El Clásico”-s, klima mes Real Madridit dhe lojtarit mbetet pozitive dhe ekziston vullnet i ndërsjellë për të gjetur marrëveshjen. Vinicius dëshiron të qëndrojë në Madrid, klub ku ka arritur kulmin e karrierës së tij deri tani, duke u shpallur “The Best” dhe duke qenë shumë pranë Topit të Artë.

Megjithatë, mbërritja e Kylian Mbappé-së ka ndryshuar ekuilibrat në skuadër dhe i ka ulur paksa statusin brenda ekipit. Tani, braziliani po përshtatet me një rol të ri, pas dy sezoneve ku ishte vendimtar në triumfet e fundit të Real Madridit në Ligën e Kampionëve. Ka edhe dilema, pasi ndonjëherë duket sikur stili i tij nuk është plotësisht në përputhje me idetë e trajnerit të ri, ndonëse ai ka shprehur vazhdimisht vlerësim për talentin e Viniciusit, duke thënë se “ai duhet të lidhet me thelbin e lojës së tij”.

Real Madridi nuk ka caktuar ende një datë për rifillimin e negociatave dhe gjithçka pritet të shtyhet deri në fund të sezonit, kur situata do të jetë më e qartë për të dyja palët. Fillimisht, kërkesat financiare të Viniciusit ishin shumë të larta, por para ndërprerjes së negociatave pozicionet ishin afruar ndjeshëm. Aktualisht, ai përfiton rreth 15 milionë euro neto për sezon, plus bonuse të përfshira në kontratë, si ai për fitimin e trofeut “The Best”.

Në Madrid ka qetësi dhe besim se marrëveshja do të arrihet, por përfundimi do të varet nga dinamika sportive dhe vendimet strategjike të klubit në fund të sezonit. Vinicius mbetet një figurë kyçe dhe tifozët presin që saga e rinovimit të përmbyllet me sukses.

sfidanti.al