Bisedimet kanë nisur dhe kërkesa është bërë. Myrto Uzuni nuk mund të largohet nga Ferencvaroshi pa 4 milionë euro, ndërsa klubi i tij ka vendosur çmimin e kartonit. Mediat hungareze shkruajnë se Olimpiakosi i Pireut, kampion i Greqisë, është tepër i interesuar për shërbimet e lojtarit të kombëtares shqiptare, dhe po përpiqet të arrijë një akord. Për momentin, pala greke e cilëson të lartë çmimin e kartonit të përcaktuar nga Ferencvaroshi dhe po përpiqet që ta ulë.
Uzuni ka qenë një nga lojtarët kryesorë të ekipit këtë edicion, për të mos thënë më i miri, duke shënuar 12 gola e duke dhënë 6 asistë në kampionat, e duke pasur 3 gola në Champions, ku luajti në fazën e grupeve. Ferencvaroshi e mori për 1.8 milionë euro nga Lokomotiva e Zagrebit verën e kaluar, dhe kjo u quajt një investim i rëndësishëm i klubit të Budapestit, që tashmë kërkon të përfitojë sa më shumë. Drejtuesit janë të bindur se për beratasin 25-vjeçar do të ketë edhe klube të tjerë të interesuar pavarësisht krizës financiare të shkaktuar nga koronavirusi.
Shqiptari ka kontratë deri në vitin 2024, dhe me gjasë Ferencvaroshi edhe mund të mos pranojë që të largohet, i bindur se ai do ta rrisë edhe më tej nivelin e tij, pra edhe vlerën e kartonit, ndërsa në verën e vitit 2022 gjendja ekonomike e futbollit të jetë më e mirë. Së fundi, Uzuni u shpall kampion i Hungarisë pas fitores 3-0 të Ferencvaroshit ndaj Dozhës së Ujpeshtit, një sukses i madh dhe i pari në karrierë, që ai shpreson të mos mbeten me kaq.
Sfidanti.al