Uzuni prej “xhek potin” 1 milionë euro në vit tek Granada!

Sakrificat e bëra në gjithë këta vjet nuk shkuan kot, dhe ai u fut në klubin ekskluziv. Shumë pak lojtarë të kombëtares shqiptare në histori mund të mburren se kanë fituar apo fitojnë 1 milionë euro në sezon, e Myrto Uzuni u bë një prej tyre. Sulmuesi kuqezi u bashkua me Granadën në La Ligën e Spanjës, me kontratë 3-vjeçare, ndërsa u ndihmua shumë nga golat me shumicë që shënoi për Ferencvaroshin në Hungari e në Europë. Rroga bashkë me shpërblimin në bazë të klauzolave shkon në 950 000 euro vitin e parë, 1 milionë në të dytin, dhe 1.05 milionë euro në sezonin e tretë. Ashtu siç informuan më parë mediat hungareze, Granada pagoi 3.5 milionë euro, ndërsa 500 000 euro do të jenë me klauzola, dhe kjo vlen për 85 për qind të kartonit, sepse Ferencvaroshi ka ruajtur për vete 15 përqindëshin, për të fituar në rast të një tjetër transferimi.

“Kur e takuam nga afër u habitëm prej tij, – thotë drejtori sportiv i klubit spanjoll, Pep Boada, – ka një dëshirë dhe një ambicie të jashtëzakonshme. Në fillimet e karrierës ka kaluar vështirësi të mëdha, dhe vjen nga një familje që ka vuajtur shumë. Ai e di se kjo është mundësia e jetës për të. Do të shkaktojë ç’ekuilibrim te kundërshtari, do të na ndihmojë me vertikalizimin e tij. Të gjithë tifozët do të bien në dashuri me të”. Uzuni ka nisur menjëherë punën me skuadrën e re dhe shpreson që të japë kontribut që në ndeshjen e parë, që do të luhet nesër në stadiumin “Santiago Bernabeu” të Madridit ndaj Realit.

Sfidanti.al