U desh të kalonin 1008 ndeshje që Murinjo të pësonte 6 gola!

Portugezi ishte i prekur në sedër, dhe padyshim i acaruar dhe i tërbuar pas asaj që i panë sytë. Gjithë bota do të tallet e do ta tregojë me gisht ndërsa Roma e tij u mund 1-6 në fushën e Bodo Glimtit në Norvegji në Ligën e Konferencës. U deshën 1008 ndeshje që Zhoze Murinjo të provonte se çdo të thotë të pësosh 6 gola në një ndeshje, diçka që i ka ngjarë trajnerëve të tjerë që kanë pasur në dorë skuadra më të dobëta se ai. Edhe “Mou” ia hodhi fajin lojtarëve, diçka që ndoshta mund të ketë pasoja në raportin e tij me futbollistët dhe në harmoninë në ekip.

“Ne kemi 12-13 lojtarë me nivel të lartë, por pjesa tjetër nuk është e tillë, – u shpreh ai, – faji është i imi sepse unë i bëj zgjedhjet se kush do të luajë, por doja t’i jepja mundësi atyre që kishin luajtur pak. Për fat të keq, ata që luajtën nuk e kishin nivelin e duhur, Bodo ishte më cilësore se ne. i dija limitet e lojtarëve tanë, por prisja një përgjigje tjetër. Kam folur me ta dhe jam treguar  i ndershëm dhe i hapur, siç nuk mund të tregohem me ju, ne jemi një familje e fortë, por nuk e dija se mund të arrinim deri këtu”. Në mes të atyre lojtarëve që sipas Murinjos nuk patën nivel, ishte edhe Marash Kumbulla i Shqipërisë.

Sfidanti.al