Tottenham Hotspur shënoi një fitore të madhe në “Etihad Stadium”, duke mposhtur Manchester City-n 2-0 dhe duke i dhënë fund një serie prej gjashtë ndeshjesh pa fitore në transfertë në Premier League. Ky sukses e çon skuadrën e Thomas Frank në kuotën e gjashtë pikëve të plota, pa pësuar asnjë gol.
Sfida nisi me City-n favorit, sidomos pas triumfit 4-0 ndaj Wolves në javën e parë. Megjithatë, Tottenham tregoi se nuk do të ishte një kundërshtar i lehtë. Në pjesën e parë, vendasit patën disa mundësi të mira me Omar Marmoush, por portieri Vicario reagoi shkëlqyeshëm. Ndërkohë, Spurs shfrytëzuan më së miri kundërsulmin: një kombinim mes Kudus dhe Richarlison përfundoi me golin e Brennan Johnson, i cili e zhbllokoi rezultatin.
Vetëm pak minuta më pas, presioni i londinezëve solli gabimin e portierit Trafford. Richarlison fitoi topin dhe ia shërbeu João Palhinha-s, i cili shënoi golin e parë me fanellën e Tottenham.
Në pjesën e dytë, City dominoi në zotërimin e topit, por nuk arriti të krijonte rrezik të madh. Spurs administruan rezultatin me qetësi dhe mund të kishin realizuar edhe golin e tretë, por Johnson nuk u tregua i saktë në një kundërsulm të shpejtë.
Në fund, skuadra e Frank mori një fitore të pastër dhe të merituar, duke e thelluar serinë negative të Guardiolës ndaj Tottenham-it, kundër të cilit ka pësuar më shumë humbje se ndaj çdo ekipi tjetër (10). City duket ende larg formës së viteve të arta, ndërsa Spurs dërgojnë një mesazh të fortë për ambiciet e tyre këtë sezon.
sfidanti.al