Marc Ter Stegen ishte protagonisti i mbylljes së ‘Sports Tomorrow Congress’ të Barcelonës në ‘Mobile World Congress’. Pas pjesëmarrjes në një prezantim interesant mbi teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, ku foli edhe për stilin e Barcelonës dhe mënyrën se si e ka përvetësuar që nga ardhja e tij, portieri gjerman dha një deklaratë për mediet e pranishme, duke thyer heshtjen që nga momenti i dëmtimit të tij. I pyetur nëse priste të rikthehej këtë sezon, ai tha: “Do të shohim, po punoj për këtë,” raporton ‘Mundo Deportivo’. Për përballjen mes Real Madridit dhe Atlético Madridit në Champions League, ai u shpreh:
“Do të jetë një ndeshje interesante, kjo është e sigurt, por nuk dua të bëj parashikime.” Ndërsa për ambiciet e Barcelonës për të fituar Champions League, ai u përgjigj:
“Po ecim hap pas hapi, tani jemi në një moment të mirë dhe nesër sigurisht do të jetë një ndeshje e madhe,” duke iu referuar sfidës kundër Benfikës. Marc-André ter Stegen iu bashkua Barcelonës në vitin 2014 nga Borussia Mönchengladbach. Ai debutoi me katalanasit më 17 shtator 2014, në një ndeshje të Champions League kundër APOEL Nicosias. Në sezonet e para, ai alternoi paraqitjet në La Liga me ato në kupat e tjera, për t’u bërë më pas titullar i padiskutueshëm. Ter Stegen është konsoliduar si një nga portierët më të mirë në botë, duke u shquar për aftësinë e tij në pritjet e goditjeve, lojën me këmbë dhe lidershipin e tij. Ai ka fituar shumë trofe me Barcelonën, përfshirë disa tituj të La Ligës dhe një Champions League në vitin 2015. Gjatë viteve, ai është bërë një figurë kyçe për ekipin, duke treguar vazhdimësi dhe besueshmëri.
sfidanti.al