Tebas sërish në sulm kundër Infantino-s: Arrogant dhe injorant

Presidenti La Liga-s, Javier Tebas, sulmon sërish Gianni Infantino-n, duke e shtuar dozën këtë herë, pas tërheqjes të kreut të FIFA-s nga projekti kontrovers i shitjes së Botërorit tek investitorët privatë.

Në një intervistë për “La Repubblica”, drejtuesi spanjoll nuk është kursyer aspak kundër numrit 1 të FIFA-s. Ai ka theksuar se një hap prapa nuk është i mjaftueshëm për ta mbajtur Infantino-n në detyrë dhe se ai duhet të japë dorëheqjen. “Botërori është një kompeticion që nuk mund t’u shitet palëve të treat. Marrin pjesë lojtarë që u përkasin klubeve dhe FIFA nuk paguan asgjë për ta”, – ka thënë Tebas, duke pohuar më tej se projekti i fundit e ka rënduar presionin.

Tebas e ka quajtur Infantino-n “një person arrogant dhe injorant”. Po ashtu, Tebas ka kritikuar edhe heshtjen e konfedaratave dhe sjelljen e ligave europiane, duke drejtuar gishtin te Nasser Al-Khelaifi.