Të hënën nis epoka “Tare”

Të hënën pritet të nisë zyrtarisht një kapitull i ri për Milanin. Klubi kuqezi është gati të prezantojë Igli Taren si drejtorin e ri sportiv, duke kthyer në organigramë një figurë tradicionale, e munguar që prej dy sezonesh. Pasi firmosja e kontratës trevjeçare të zyrtarizohet, do të nisë puna e vërtetë për ndërtimin e sezonit 2025-2026. Tare, ish-drejtues i njohur i Lazios për rreth 15 vjet, është një emër me peshë në futbollin italian, i njohur për aftësinë për të zbuluar talente dhe për të ndërtuar skuadra konkurruese. Ai do të jetë prezent shpesh në Milanello, duke ndjekur nga afër punën me skuadrën dhe duke ecur përpara me filozofinë e tij të vjetër: treg i drejtpërdrejtë, ndjekje e talenteve në terren, e jo vetëm në statistika.

Agjenda e Tares do të jetë e mbushur që nga dita e parë: afrime, largime dhe rinovime. Mbrojtja kërkon të paktën dy përforcime, mesfusha ka nevojë për thellësi dhe sigurisht, kërkohet një qendërsulmues i ri. Emri i Tijjani Reijnders është në qendër të vëmendjes. Milani dëshiron ta mbajë, por një ofertë e çmendur nga Manchester City do të shqyrtohej. E njëjta gjë vlen edhe për Christian Pulisic, për të cilin klubi ka gati një rinovim deri në vitin 2030. Në mbrojtje, Tare ka një sy për Mario Gila-n, mbrojtës i Lazios që ai vetë e solli nga Real Madrido. Objektiv tjetër është të rritet prania e lojtarëve italianë në ekip, pasi aktualisht vetëm Gabbia është titullar i rregullt nga grupi i “azzurrëve”. Ndërkohë, sfida të rëndësishme janë edhe çështjet e rinovimeve. Pulisic pritet të rinovojë në korrik, por më të ndërlikuara janë situatat e Maignan dhe Theo Hernandez.

Me portierin francez ka një ofertë për rinovim me rritje rroge, por përgjigjja ende mungon. Ndërsa për Theo-n, situata është më e hapur: Milani është i gatshëm ta shesë nëse vjen një ofertë e duhur dhe po studion zëvendësues si Destiny Udogie i Tottenhamit. Për repartin ofensiv, pritet të caktohet trajneri i ri – me opsione si Vincenzo Italiano, Massimiliano Allegri ose Roberto De Zerbi. Zgjedhja do të ndikojë në profilin e sulmuesit që do të afrohet. Ndërkohë, emra si Lorenzo Lucca dhe Dan Ndoye janë në listën e preferencave. Milan po investon edhe tek e ardhmja: janë zyrtarizuar rinovimet deri në 2030 për dy talente të vitlindjes 2005, Bartesaghi (mbrojtës) dhe Torriani (portier), ky i fundit që ka debutuar kundër Liverpool-it në Ligën e Kampionëve.

sfidanti.al