Sulmohet dhe hidhet në det nr.1 i Dinamos së Zagrebit!

Njeriu nr.1 i Dinamos së Zagrebit, por, në përgjithësi, edhe i futbollit kroat, Zdravko Mamiç, u sulmua, dje mbasdite, në resortin bregdetar, Braç, ku ai po shëtiste me miq të tij. Mediumet kroatë bëjnë të ditur se një person i paidentifikuar e sulmoi, duke e goditur me grushte Mamiçin, e tërhoqi nga shëtitorja dhe e flaku në det! Këtë sulm agresiv e konfirmoi edhe vet presidenti i Dinamos së Zagrebit. “Gjithçka ishte normale, kur, papritur, u afrua një person i panjohur dhe më goditi, nga mbrapa, me grusht në kokë. Në një moment, unë humba ndjenjat, por njerëzit përreth më shpëtuan dhe më nxorën nga deti”, i deklaroi Mamiçi medias kroate. Incidenti, sipas medias, ndodhi mbas një dueli verbal. Sidoqoftë, miqtë e Mamiçit e kapën agresorin dhe ia dorëzuan policisë.

Sfidanti.al