Klubet anekënd Evropës po e pësojnë shumë nga “virusi FIFA” dhe një nga klubet që po e pëson më shumë nga ai, ka qenë Mançester Junajtidi që në radhët e veta ka shumë lojtarë që luajnë role të rëndësishëm në përfaqësueset e vendeve të tyre. Një situatë e tillë u krijua edhe me rastin e ndeshjeve kualifikuese të fundit të Kupës së Botës mes ekipeve përfaqësuese të vendeve të ndryshme, për shkak të të cilave disa lojtarë kyç pësuan dëmtime në këto ndeshje dhe janë të detyruar që të mos luajnë me klubet e tyre, në rastin konkret me Junajtidin. Kështu, dëmtime në këto ndeshje kanë marrë “djajtë e kuq”, Maruan Felaini, Fill Xhonsi dhe Romelu Lukaku.
Nga frika se Lukaku, me pjesëmarrjen e tij në ekipin përfaqësues të Belgjikës do të mund ta keqësonte gjendjen e tij fizike, duket se dikush te Junajtidi vendosi që të ndërmarrë një veprim të pazakontë. Sikurse tregon trajneri spanjoll i përfaqësueses belge, Robert Martinez, dikush që ishte i interesuar që Lukaku të mos luante në dy ndeshjet e fundit kualifikuese, e ka marrë atë në telefon disa herë, në orën 3 të mëngjesit, nga një numër telefoni i panjohur, ndërsa personi nga ana tjetër e telefonit u përpoq që ta bindte atë që të mos ta fuste në lojë Lukakun në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Belgjikës, sepse ai ishte i dëmtuar. Sido që mund të duket e pabesueshme, por këto telefonata duket se patën efekt, pasi Lukaku nuk luajti në ndeshjen me Bosnjë-Hercegovinën dhe duket se nuk ka gjasa që të luajë as më Qipron. Martinezi nuk tha asgjë konkrete se kush qëndronte mbas telefonatave, por aluzioni duket se shkon në drejtim të… trajnerit të Junajtidit, Zhoze Murinjo.
sfidanti. al