Spanja dhe kapiteni Ramos duan kthimin e trajnerit Lopetegi?!

Hulen Lopetegi nuk është më trajner i përfaqësueses së Spanjës. Mbasi Reali i Madridit shpalli dje se Lopetegi do të pasojë Zinedin Zidanen në pozicionin e trajnerit të klubit “mbretëror”, Federata e Futbollit të Spanjës, me në krye presidentin e saj, Luis Rubijales, mori vendimin radikal, duke e shkarkuar Lopetegin.

Federata spanjolle bëri të ditur se arsyeja e shkarkimit të Lopetegit ka lidhje të drejtpërdrejtë me “bisedimet e fshehta” që ky trajner ka zhvilluar me Realin e Madridit. Krerët e federatës shprehën pakënaqësinë e tyre se Lopetegi nuk i kishte njoftuar ata paraprakisht se ai kishte nisur bisedimet me klubin kampion aktual të Evropës.

Radio Marka, nga ana e saj, njoftoi se lojtarët spanjollë, me në krye kapitenin Serhio Ramos, i kanë kërkuar federatës spanjolle që ajo ta rishikojë vendimin e saj. Pritet që, shumë shpejt, në kampion stërvitor, ku është vendosur përfaqësuesja e Spanjës në Krasnodar, të zhvillohet një konferencë shtypi, në të cilën, krahas trajnerit Hulen Lopetegi dhe presidentit të federatës spanjolle, Luis Rubijales, do të marrin pjesë edhe kapiteni Ramos dhe Andres Iniesta.

Sfidanti.al