Liverpuli ka vendosur që ta rrisë çmimin e biletave për tifozët e Barcelonës që do të ndjekin ndeshjen e kthimit mes të dy ekipeve që do të luhet në “Enfild” më 7 maj, nga 88 sterlina (101 euro) në 102 sterlina (119 euro). Kjo rritje, sikurse shpjegojnë në klubin e “të kuqve”, u bë mbi bazën e reciprocitetit të çmimit të biletave që ka përcaktuar Barcelona për ndeshjen e parë në “Kamp Nou”, më 1 maj”. Klubi spanjoll i ka garantuar Liverpulit 4620 bileta për këtë ndeshje.
Fillimisht, çmimi i biletave për tifozët vizitorë ishte 88 sterlina, por, kur klubi katalonjas shpalli se tifozët e Liverpulit do të duhet të paguanin 102 sterlina (119 euro) për biletat, atëherë edhe “të kuqtë” reaguan në mënyrën përkatëse. Për më tepër, Liverpuli vendosi që tepricën e parave ta subvencionojë për nevojat e tifozëve që ata t’i blejnë më lirë biletat.
Sfidanti.al