Serie A, pas asnjë dominues, mbizotëron ekuilibri

Serie A italiane ashtu sikurse edhe të gjithë kampionatet e tjerë në Evropë tashmë kanë pauzën e radhës  për shkak të ndeshjeve të kombëtareve dhe në krye të klasifikimit është Milani me 2 pikë më shumë se surpriza Sassuolo në vendin e dytë dhe 3 më shumë se Napoli e Roma.

Por kampionati, që po përjeton valën e dytë të Covid-19 është nën shenjën e ekuilibrit të plotë. Këtë e thonë rezultatet e ndeshjeve të fundit ku vetëm Napoli e Roma regjistruan fitore përsa u përket skuadrave të vendeve të para, ndërkohë që 9 skuadrat e para ndahen nga vetëm 6 pikë me njëra-tjetrën duke nisur nga Milani që është me 17 pikë(8 më shumë se sezonin e kaluar) e deri te Lazio me 11 pikë. Serie A e ka një kryesues, Milanin e Piolit, por nuk ka një dominuese të qartë pas 7 javësh të zhvilluara. Cristiano Ronaldo, Lukaku, Ibrahimovic, bëjnë diferencën, por kjo nuk mjafton.

Sezonin e kaluar, Juventusi i Sarrit pas 7 javësh kishte grumbulluar 19 pikë, 6 më shumë në krahasim me skuadrën aktuale të Pirlos. Një pikë prapa ishte Interi i Contes, që aktualisht ka 6 pikë më pak se një vit më parë dhe më pas ishte Atalanta me 3 pikë më pak se bardhezinjte dhe Napoli ishte në vendin e katërt.  Lazio, Fiorentina dhe Cagliari ishin në vendin e 6 me 11 pikë me 8 pikë më pak se kryesuesit, ndërsa në vendin e 9 ishte Torino me 10 pikë

Në sezonin 2018/19, Juventus ishte në krye të klasifikimit pas 7 javëve dhe kishte krijuar një diferencë prej 6 pikësh me Napolin dhe 8 pikë me Interin, Sassuolon e Fiorentinën. Vendi I nëntë mbahej nga Sampdoria e Roma me 11 pikë. Për të parë një klasifikim të Serisë A, si ai i kampionatit aktual duhet të kthehemi në sezonin 2011/12 kur ishin 11 skuadra shumë pranë njëra-tjetrës, me vetëm 3 pikë diferencë mes tyre; Napoli, Juve e Udinese ishin në krye me 13 pikë, Chievo, Catania dhe Parma me 10.

Sfidanti.al