Ka qenë një lojtar shembullor Havier Zaneti, nga ata që edhe kundërshtari më i egër i Interit ishte i detyruar ta respektonte. Si zv. president i Interit, gjithsesi, do të duhet të bëjë gjëra që nuk ka qenë i mësuar. Si, p.sh., të punojë me një trajner dhe të punojë sërish që të sjellë një tjetër. Në të njëjtën ditë, kur fliste për Stefano Piolin, mediat raportonin se klubi milanez kishte zgjedhur njeriun e ardhshëm të stolit. Bëhet fjalë për të shumëkërkuarin, Diego Pablo Simeone, njeriun e hekurt të Atletikos së Madridit, që do të vijë në “San Siro” sezonin e ardhshëm (jepet e sigurt), me ndërmjetësinë pikërisht të Zanetit.
Gjithsesi, ish-kapiteni është i detyruar të punojë për të mirën e Interit dhe e mira e klubit është pikërisht që të vijë një gjigand i stolit, si Simeone. Argjentinasi ka bërë epokë në stadiumin “Visente Kalderon”, duke fituar radhazi Ligën e Europës, Kupën e Mbretit në Spanjë, Ligën spanjolle, Superkupën e Europës dhe të Superkupën e Spanjës, si dhe duke arritur dy herë finalen e Ligës së Kampionëve. Të gjitha këto me një klub që nuk ka shanse t’u afrohet për buxhet dhe traditë Realit, Barcelonës apo gjigandëve të kontinentit. Për këto arsye, Simeone është njeriu i duhur për Interin dhe besohet se pas Zhoze Murinjos, do të jetë i pari që do të dijë të fitojë shumë.