Toti: U ndjeva si shenjtor kur tifozët më krahasuan me Maradonën!

Kur ai ishte në fushë, kundërshtarët ia kishin frikën dhe tifozët nuk kishin sesi ta prisnin mirë. Françesko Toti pyetet për tifozët e Napolit dhe pohon me sinqeritet se kur shkonte në “San Paolo”, si kapiten i Romës, publiku normalisht që e vinte nën presion, por më pas gjërat ndryshuan. “Nuk më prisnin mirë kur isha lojtar, dhe kjo ishte normale, – u shpreh ai në një bisedë në Instagram me Salvatore Espoziton, që është edhe tifoz napolitan, – gjithsesi, kur luajta ndeshjen e fundit më brohoritën që të gjithë, më duartrokitën dhe mbeta i shastisur. Nuk e prisja kurrë, dhe i falenderoj për gjithë jetën. Do të ishte bukur që dy palët e tifozëve të vëllazëroheshin”.

Toti shton se e kanë pritur mirë edhe kur shkoi në Napoli si drejtues i Romës, dhe i thanë se “vetëm për dy njerëz kemi brohoritur duke u ngritur në këmbë, për Maradonën dhe për ty”. Nga këto fjalë, romani thotë se u ndje sikur të ishte një shenjtor, pasi i tillë cilësohet Maradona në Napoli. “Napoli padyshim më pëlqen, ashtu si edhe tifozët e tij, – përfundon Toti, – ngjajnë me Romën”.

Sfidanti.al