Toti: “Mjaft më me budallallëqe, Juventusi është më i miri”

Kush do të thoshte se do të vinte një ditë, kur Françesko Toti do të mbronte Juventusin. Por, siç duket, kapitenit të Romës i kanë ardhur në majë të hundës kritikat e shumta në adresë të “zonjës së vjetër”, kështu që vendosi që ta mbronte, edhe publikisht, të vetmin ekip italian që po realizon rezultatet më të rëndësishëm në kupat evropiane. “Kam dëgjuar budallallëqe të mëdha, këto kohët e fundit, sesi gjyqtarët po e ndihmojnë Juventusin. Hajde, t’i ndërpresim këto budallallëqe dhe unë do t’u them se përse. Juvja, gjithnjë, është në majë, duke qenë se, momentalisht, bindshëm, ëshë ekipi më i mirë në Itali. Juventusi luan njëlloj si kundër Barcelonës, ashtu edhe kundër Kievos”.

Kapiteni vazhdon komentin:”Nuk flas vetëm për cilësinë e lojrave që zhvillon, por për motivimin që kanë këta djem që, gjithnjë, duan të fitojnë. Në sytë e tyre, ju mund të shihni një etje të madhe për suksese, gjithnjë e më të reja. Kjo është ajo që e dallon Juventusin nga ekipet e tjerë në Itali, duke pasur parasysh edhe kualitetin që zotërojnë lojtarët e tij”, thotë Toti. Tifozëve të Romës, komente të tillë me siguri që nuk do t’u pëlqejnë, por një gjë është e qartë. Ikona e Romës, Toti, ka përmasa të mëdha të tilla, saqë askush, me siguri, nuk do të mund t’u bëjë ndonjë vërejtje fjalëve vlerësuese të tij të lartpërmendura në adresë të Juves.

Sfidanti.al