Tifozët tallen me Murinjon: Sa gola pësove këtë herë?!

Një hap i gabuar edhe pritej, por që të thyente hundët kështu, aspak. Roma dhe Zhoze Murinjo pësuan një katastrofë të vërtetë në stadiumin e Udinezes duke u mundur 4-0 në sfidën e radhës në Serinë A. Pas 5 javësh, kryeqytetasit janë ende shumë pranë kreut të renditjes, vetëm një pikë pas Napolit e Milanit, veçse mënyra sesi u dorëzuan në “Daçia Arenë” ngriti shumë pikëpyejtje për aftësinë tyre për të pretenduar titullin, ose të paktën kualifikimin në Champions. Udineze goditi radhazi, duke shembur rezistencën e miqve sidomos pas pushimit me 3 gola në 26 minuta, ndërsa tifozët u hodhën masivisht në rrjetet sociale.

Shumica ishin kundërshtarë, por pati edhe nga ata të Romës. Në qendër të talljeve ishte Murinjo, por edhe projekti i klubit për të ndërtuar një skuadër të madhe që të pretendojë titullin e katërt në histori. Për portugezin ishte humbja më e rëndë që ka pësuar ndonjëherë në Serinë A.

“Më vjen keq për lojtarët, – tha Murinjo, – sepse pavarësisht gabimeve që ndodhën gjatë ndeshjes dhe ishin përcaktuese, ata bënë një përpjekje tepër të madhe. Ata dhanë gjithçka. Më vjen keq padyshim për tifozët pasi 4-0 është e rëndë. Gjithsesi, unë preferoj më mirë të humbas një herë 4-0 sesa katër herë 1-0. Të enjten do të vijë një ndeshje tjetër, do të reagojmë me krenarinë dhe karakterin tonë, dhe të enjten do të jemi aty ku duhet”.

Marash Kumbulla nuk ishte këtë herë pasi mbrojtësi kuqezi është i dëmtuar, ndërsa sfida e radhës për Romën është në Ligën e Europës në fushën e Ludogorecit në Bullgari.

Sfidanti.al