Ku duket ringjallja e Junajtidit? Kur edhe Ronaldo brohoret nga stoli!

Çfarë ka ndodhur në trurin e njërit prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohëve? Kristiano Ronaldo është vërtet një superyll, dhe një stërprofesionist, por gjithsesi shumëkush e mban mend jo vetëm për golat “me thasë” dhe për trofetë e panumërt, por edhe për kapriçot e shumta deri të skajshme. Nuk kanë kaluar veçse pak ditë, kur portugezi refuzoi këshillat e stafit teknik për të përshëndetur tifozët e Mançester Junajtidit pas humbjes 0-4 në Brentford. Habia është e madhe kur shikon se i njëjti Kristiano u ngrit në këmbë e brohoriti për golin e “shemrës” së tij, Antoni, në ndeshjen ndaj Arsenalit në “Old Traford”. Në këtë transformim rrënjësor padyshim që ka një meritë të madhe trajneri Erik Ten Hag, që po e tregon veten një pasardhës i Sër Aleks Fergusonit. Ai e ka bindur CR7-ën se gjëja më e mirë për karrierën e tij është që të përkushtohet tërësisht për Junajtidin, të vijë sa më shpejt në formë, dhe bashkë mund të bëjnë një rrugë të gjatë dhe fituese. Ronaldo duket se tani ka shpresë.

Sfidanti.al