Gjesti ishte kuptimplotë dhe i madh. Tifozët e Napolit shpalosën gjithë mbështetjen për mbrojtësin e tyre, Kalidu Kulibali, i ofenduar për ngjyrën e lëkurës nga tifozë të Interit. Publiku napolitan mbajti në duar fotografi të Kulibalit në stadiumin “San Paolo”, padyshim duke i dhënë një kënaqësi dhe ngrohtësi të madhe. Vetë Kulibali nuk luajti ndaj Bolonjës (3-2), dhe mbrojtësi Gulam bëri nxemjen duke mbajtur të veshur një fanelë të tij.
Gjithsesi, pyetja është, sesi sillen (disa) tifozë të Napolit kur në stadiumin e tyre vjen ndonjë “Kulibali” i ndonjë skuadre kundërshtare? Racizmi, padyshim, ekziston edhe në viset jugore të Italisë, ndonëse mbështetja për mbrojtësin zezak flet jo pak për emancipimin. Disa vjet më parë, një vajzë italiane veroneze, e lidhur me një djalë shqiptar, tregonte sesi tifozët e Helas Veronës ofendonin edhe sulmuesin e tyre Papa Uaigo, thjesht për faktin se ishte zezak!
Sfidanti.al