Tifozët e Milanit kundër trajnerit, ende pa u prezantuar!

Ndoshta nuk paska pasur faj Silvio Berluskoni që i quajti Maldinin dhe Bobanin si drejtues të vegjël. Pasi pranuan se kishin gabuar duke marrë trajneri Xhampaolon (përderisa e shkarkuan), ata vendosën që njeriu i duhur për stolin e Milanit është Stefano Pioli. Nuk dihet se çfarë të dhënash morën dy ish-legjendat e fushës për Xhampaolon, por po ashtu nuk kuptohet se çfarë i bindi që të bënin pikërisht këtë zgjedhje të dytë.

Pioli, ish-trajneri i Palermos, Bolonjës, Lacios, Interit dhe Fiorentinës ishte larguar nga “vjollcët” në prill të këtij viti, pra pa u mbyllur ende kampionati, ndërsa pa sukses ishte mbyllur edhe etapa zikaltër. Jo vetëm kaq, por menjëherë kanë dalë në skenë thëniet e tij ku u zgjodh trajner i Interit, se “unë jam tifoz interist, dhe gjithë familja ime është interiste”. Duke pasur parasysh mentalitetin e tifozëve, kjo quhet tradhëti e madhe, dhe menjëherë publiku milanist ka nisur fushatën “Pioli ik”, ende pa u prezantuar si trajner.

Nuk dihet se çfarë suksesi do të ketë një skuadër ende delikate si ajo e Milanit, në një klimë kaq të tensionuar, që padyshim do të ndihet në “San Siro” edhe më shumë sesa në ndeshjet jashtë fushe.

Sfidanti.al