Lajthitën arbitrat e FIFA-s apo këtë sezon ..treni do dalë nga shinat?

Ç‘do të thotë të mbash stemën e FIFA-s në Superligë? Sipas asaj që ndodh rëndom në fushë, arbitrat e FIFA-s tregojnë me vepra se stema është më e sigurtë në gjoksin e tyre kur gabimet janë “shumë njerëzore” , aq flagrante dhe të paimagjinurara, sa askush tjetër pa stemë,qoftë edhe debutues, nuk do të guxonte t’i bënte. Këtë herë, në skenën e gabimeve trashanike, janë ngjitur me meritë Juxhin Xhaja dhe Eldorian Hamiti, ky i fundit më sistematik kohët e fundit. Për të parin thuhet ka gjykuar me “zemër në dorë”,   lojën me stil kung-fu  në fushën e Laçit, ku futbollistët vendas ndërhynin frikshëm ndaj Bylisit , madje, ne disa raste,  dukej se s’kishin punë me  topin, se shenja ishin këmbët!   Ç’ bënte arbitri në ato momente? Vetëm mbyllte sytë dhe  lutej për më shumë…paqe. Tjetri, Hamitit, gabimet i falen këtë herë, ngaqë  ka meritën e madhe se  Partizanit më në fund i erdhi goja! Kampionët, që ishin betuar se nuk do të merreshin me gjëra të vogla, si puna e arbitrimit, kanë blasfemuar stemën dhe  bilbilin , të habitur se vetëm disa muaj më parë arbitrat  silleshin si dele kur ishin para  Partizanit…

Pyetja është e vjetër, por, për dreq,  mbetet e freskët: Hamiti dhe Xhaja, “templarët e FIFA-s”, gabojnë nga padija apo se  bursa e dashurisë  ka ndryshuar këtë sezon? Përgjigjen e kësaj loje, që bëhet edhe më e trazuar  në ekranet e TV-së,  e merr edhe nga mjeshtrat e maviolës, ata  që këtë javë pyetën me “indinjatë” dhe me kurajë të komanduar : si ka mundësi që ranë kaq poshtë arbitrat me stemë? U tha me të madhe:  Hamiti dhe Xhaja duhet të mbajnë peshë në kampionat dhe jo të dalin nga shinat? Sikur nuk e dinë fort mirë, që treni ynë i lodhur  është më komod kur del nga shinat sesa kur udhëton mbi  shina, si një vit më parë. Ku e ka bukurinë, kur  të gjithë e dinin ku do të ndalej sipër dhe ..poshtë!

Sfidanti.al