“Thueja kangës rini”, Interi cakton presidentin 26-vjeçar

Ai ishte vetëm 5 vjeç kur Masimo Morati bleu aksionet e ish-klubit të babait të tij dhe nisi epokën e dytë “moratiane” tek Interi. Stiven Çan (Steven Zhang) është sot 26 vjeç dhe sapo ka marrë detyrën e lartë që dikur e mbante manjati i naftës, duke hyrë në histori si presidenti më i ri zikaltër i të gjitha kohëve.

Pak besohet se babai i tij, Çan Çin Ton (Zhang Jindong), imagjinonte se deri ku do të arrinte i biri, ndërsa shiste kondicionerë në një rrugë të kryeqytetit të vjetër të Kinës, Nanking. Gjithsesi, jeta eci përpara dhe familja Çan bleu aksionet e Interit në qershor të dy viteve më parë.

Kjo i hapi rrugën Stivenit që të merrte postin e mbajtur së fundmi nga Erik Tohir. Kinezi i ri është presidenti i 21-të interist, ndërsa e ka fituar përvojën në dy vitet e fundit, kur ka qenë në bordin drejtues. Tifozët shpresojnë që aksionerët kinezë të investojnë siç bënë Anxhelo e Masimo Morati, në kohën e të cilëve, klubi fitoi lavdinë më të madhe.

Sfidanti.al