Si i do trajnerët De Laurentisi i Napolit? Që të mos ofendohen kurrë!

Kuptohet, nuk është në gradën e ish-presidentit të Palermos, Xamparini, që ofendonte publikisht shoferin e tij ndërsa mikrofonët e kamerave ishin hapur. Sidoqoftë, Aurelio De Laurentis është një president klubi futbolli që pëlqen të jetë protagonist, madje më shumë sesa Berluskoni dikur, padyshim më keq sesa Morati apo Anjeli. Bosi i Napolit e shprehur mentalitetin e tij pas fitores 2-1 ndaj Juventusit në vlerësimin që i bëri trajnerit Luçiano Spaleti. “Është shumë i zgjuar, – tha De Laurentisi, – shumë i rregullt, punëtor, që i drejton punët me vendosmëri, e bën skuadrën që të luajë shumë mirë futboll dhe nuk ofendohet e nuk ka fantazma në egon e tij kur i kërkoj ndonjë sqarim, siç ndodhte me të tjerët”. Këto fjalë, sipas mediave, ia drejton pa i emërtuar Mauricio Sarrit dhe Xhenaro Gatuzos, që sipas De Laurentisit kishin “krenari të sëmurë”. Nuk dihet sesi do të kishte punuar presidenti napolitan me Fergusonin, Klopin, Van Galin, Murinjon, Kapelon apo Guardiolën.

Sfidanti.al