Çmimi i Madh i Italisë në Monza do të mbahet mend gjatë për momentin dramatik dhe të tmerrshëm kur makinat e Ljuis Hamiltonit dhe Maks Verstapenit u përplasën, dhe që të dy pilotët pretendentë për titull dolën nga gara. Jo vetëm kaq, por Hamilton mund të thuhet se rrezikoi shëndetin, pse jo jetën e tij, ndërsa mënyra sesi u përplasën makinat Mercedes e Red Bull, bëri që “raketa” e holandezit të ngjitej mbi atë të anglezit, dhe rrota e prapme e djathtë e tij të binte mbi kokën e rivalit. Falë masave të sigurisë të marra në vit, Hamilton ia hodhi me lëndime fare të vogla.
Të gjithë në pistën e Formula 1 thirrën të lehtësuar pasi gjithçka përfundoi pa viktima e pa autombulanca për në spital, por përplasja pati efekt në garën për titull, sepse Hamilton humbi mundësinë të synonte fitoren në një pistë të favorshme për të, duke mbetur 5 pikë prapa Verstapenit në renditjen e përgjithshme. Secili pilot ia hodhi fajin tjetrit, dhe shefi i Mercedesit, Toto Volf, akuzoi Red Bullin. “Ai nuk u tërhoq edhe pse unë isha përpara tij në kthesën paraardhëse, – tha Hamiltoni, – në kthesën e katërt në nisje të garës, ishim në situatë të ngjashme, por unë hoqa dorë, ai jo”. “Kështu ndodh kur nuk lë hapësirë, – tha Verstapen, – Unë kalova nga ana e jashtme, por ai erdhi drejt meje. Ishte diçka fatkeqe, por ne jemi aq profesionistë saqë ta lemë prapa këtë moment”.
Sfidanti.al