Sarri nuk harron “shigjetën” e fundit për Juventusin kampion

A fitoi skuadra më e fortë? “Fitoi padyshim ajo më e fuqishmja, nga çdo këndvështrim”. Ky ishte me pak fjalë, dialogu gazetar-trajner, kur Mauricio Sarri u pyet në konferencën e fundit për shtyp në Serinë A, pas fitores në fushën e Sampdorias. Tekniku napolitan i mbetet besnik vetvetes dhe karakteri nuk e lejon që të mos jetë koherent.

I tillë është përgëzimi i tij për kampionët e rinj (dhe të vjetër) të Italisë, ndërsa komenti vazhdon kështu: “Skuadra pësoi një kundërgoditje pas Inter-Juventus, për mënyrën sesi shkoi ajo ndeshje, ne duhet që të përmirësohemi nga ana psikologjike, por edhe organizatorët e kampionatit duhet të përmirësohen, pasi në 16 ndeshjet e fundit, 14 herë kemi luajtur pas Juves”.

“Titullin e humbëm në Firence, – vazhdoi Sarri, – por jo në fushë. Duhej të kishin fjetur më herët përpara ndeshjes ndaj Fiorentinës dhe keqardhja më e madhe është që nuk e humbëm kampionatin në fushëm, por në hotel”. i lumtur me fitoren 2-0 në Gjenovë ndaj Sampdorias, dhe me rekordin e pikëve (88), Sarri nuk dëshiron të konfirmojë qendrimin apo largimin nga Napoli.

“Tifozët kërkojnë që unë të qendroj dhe unë i falenderoj pa masë, – përfundon ai, – këtë tifozeri e dashuroj thellësisht dhe kjo nuk do të ndryshojë, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”. Me shumë gjasa, Sarri do të shkojë në Angli (tek Çelsi?) dhe në vend të tij do të vijë Karlo Ançeloti.

Sfidanti.al