Filozofia e tij është “të triumfoj duke dominuar”. Ata që e dëgjojnë sot, dhe që shohin ndeshjet e Juventusit, mund të tundin kokën me mosbesim dhe në pamje të parë të kenë të drejtë. Juvja e Sarrit, sot për sot, nuk është dominuesja e ndeshjeve, madje jep më pak garanci për rezultatin sesa ekipi i Masimiliano Alegrin sezonin e kaluar. Gjithsesi, trajneri bardhezi dëshiron të nënvizojë diçka.
“Dua vërtet dominim në ndeshje, – thotë ai, – dhe kjo është parë vetëm hera-herës, por jemi ende në një fazë pune. Ulje-ngritjet hyjnë në normalitet sepse nuk mund të arrihet gjithçka menjëherë. Në Itali, shpesh mendojnë se suksesi duhet të vijë pa vonesë, por nuk është kështu. Nëse shikoni Liverpulin, që sot është kampion i Europës dhe i botës, në dy vitet e para me Klopin arriti në vend të 11-të dhe të 8-të në Premier Ligë”. Sarri thekson se synohet Championsi, por duke e ditur se rivaliteti do të jetë shumë i fortë dhe se të papriturat mund të ndodhin. Ai pranon se Juvja duhet të jetë më mirë në mbrojtje dhe shpreson që elementët e rinj difensivë si De Ligt dhe Demiral të rriten sa më shpejt.
Sfidanti.al