Ronaldo, 34 vitet e tua Sarrit i duken si Zidanit dhe Alegrit!

“Dhe vjen një ditë” është një shprehje tepër e përdorshme në letërsi apo kinematografi. Edhe për futbollistin vjen kjo ditë, qoftë edhe për ata të elitës më elitare, siç është Kristiano Ronaldo. Portugezi u la jashtë skuadrës për ndeshjen ndaj Leçes në Serinë A, pas ngarkesës fundjavën e kaluar në Itali dhe në mesjavë në Champions. “Edhe një Kristiano Ronaldo ka nevojë për pushim, – u shpreh trajneri Sarri, – nuk është zgjedhje teknike, por ai duhet të karikojë bateritë. Flasim shpesh me Kristianon dhe duhet ta mbrojmë”.

CR7-ta i ka nisur të gjitha ndeshjet e deritanishme të Juves, me përjashtim të njërës dhe ka shënuar 5 gola në 10 sfida. Vlerësimi i Sarrit përafrohet me ato që kanë bërë në të kaluarën Zinedin Zidan tek Reali apo Masimiliano Alegri tek Juventusi, me ndryshimin që këta të dy e kanë lënë pushim Ronaldon në fazën e dytë, ndërsa Sarri nis ta lerë pushim që në tetor. Natyrisht, tashmë portugezi është 34 vjeç.

Sfidanti.al