Kështu shkruhet në muret e kompleksit sportiv të Trigorias në periferi të Qytetit të Përjetshëm. Zhoze Murinjo po nis një aventurë tepër emocionuese në karrierën e tij, atë në krye të ekipit që përfaqëson një nga qendrat e banuara më të vjetra dhe më të famshme të botës, Romës. Trajneri i ri romanist mbërriti në kryeqytetin e Italisë në mënyrë origjinale, siç duhet të jetë gjithçka origjinale në prezantimin e “Të veçantit”. Aeroplani privat nga Londra kishte në timon vetë presidentin e klubit, Fridkin. Në Trigoria ishin mbledhur të paktën 500 tifozë, duke shkelur rregullat e koronavirusit, ndërsa Murinjo doli me shallin e tij verdhekuq. Shprehja në Trigoria ka qenë “forca e ujkut është te grupi”, ndërsa shprehja e re është “fitore, pavarësisht gjithçkaje”. Këto shprehje i përshtaten pikërisht Zhoze Murinjos, stilit të tij të lojës që nuk pëlqen yjet e veçuar, por në shërbim të skuadrës, dhe që pëlqen rezultatin mbi estetikën. Pak a shumë si Fabio Kapelo, që fitoi titullin e tretë dhe të fundit në histori të Romës. A do t’ia dalë edhe portugezi? Ai e di sesi fitohet, por nuk dihet nëse Roma do të arrijë të krijojë një skuadër aq të fortë sa në nisje të viteve 2000.
Sfidanti.al