Pyetja ishte e qartë, pra se çfarë ndodhi me ekipin që kryeson Serinë A, dhe se çfarë i mungoi në ndeshjen e së hënës në “San Siro”. Trajneri Stefano Pioli foli për një element që nuk ishte i mjaftueshëm për ekipin e tij. “Është e qartë se çfarë na mungoi, – tha Pioli për platformën televizive, DAZN, – na mungoi goli. Gjithsesi, skuadra bëri gjithçka për të fituar ndeshjen, luftoi shumë, krijoi mjaft raste për të shënuar, goditi portën shpesh, por nuk ishte mbrëmja më e mirë për ne. Gabuam në 20 metrat e fundit, aty ku vendosen ndeshjet”.
“Çfarë grushtash për titullin, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, duke pasur në kopertinë Ibrën me kokë të fashuar, – Tjetër surprizë, ndalet Milani.” “Il Korriere delo Sport” komenton se gara për titull do të zhvillohet deri në frymën e fundit: “Barazon Milani, Napoli e Inter më pranë, ndizet lufta!” Duhej të kishte qenë java e shkëputjes, por ndodhi e kundërta, pas fitoreve të mëdha të Napolit dhe Interit, përkatësisht 3-1 në fushën e Atalantës dhe 1-0 në Torino ndaj Juventusit. Tashmë, Napoli është vetëm 1 pikë prapa, dhe Interi në -4, por duke pasur ndeshjen e prapambetur pikërisht ndaj Bolonjës.
Sfidanti.al