Pioli i lumtur me Milanin e tij, por Macarri i Torinos është tërbuar me arbitrin!

Pavarësisht gjithçkaje, jemi në një kohë tjetër. Kanë kaluar vetëm pak javë, dhe Milani duket krejtësisht i ndryshuar, duke marrë sukseset njëri pas tjetrit. Ishte radha e Kupës së Italisë, e çerekfinales ndaj Torinos në “San Siro”, dhe u arrit ajo që kërkohej, pra kualifikimi, me një vazhdimësi që ka nisur t’i bëjë tifozët që të besojnë. Nuk ishte një fitore e lehtë, përkundrazi, ndonëse përballë ishte një skuadër e mundur 0-7 në shtëpi nga Atalanta vetëm pak ditë më parë.

Kualifikimi në gjysmëfinale do të thotë duel me Juven, pra një sfidë mes Ibrës e Kristiano Ronaldos. Mediat italiane vlerësuan kuqezinjtë, por edhe akuzuan gjyqtarin që ndihmoi fituesit. “La Gazeta delo Sport”: Milan, gjëra turke! Përmbysje e madhe 4-2, është në gjysmëfinale përballë Juves! Furi e Toros, Rebiç duhej të ishte përjashtuar”.

“Janë lojtarët që duhet të përgëzohen, – tha trajneri Pioli pas ndeshjes, – ata e treguan edhe një herë forcën e tyre, treguan cilësi, karakter dhe sakrifikuan shumë. Jemi në rrugën e duhur, por ende nuk jemi aty ku duhet”. Trajneri i Torinos, Macarri, deklaroi se ishte ekipi i tij që duhej të fitonte, dhe se arbitri gaboi rëndë, por gjithsesi kualifikimi ishte për Milanin që do të luajë dy derbi ndaj Juventusit, të parin në 12 shkurt në “San Siro”, dhe të kthimit në 4 mars, për të synuar finalen dhe fitoren e Kupës së Italisë.

Sfidanti.al