Nga 2 marsi në 16 qershor, sa kishte munguar konferenca e Sarrit!

Trajneri i Juventusit hodhi një tjetër hap drejt normalitetit (e bashkë me të, edhe ne të tjerët që merremi me sportin). Mauricio Sarri doli përpara gazetarëve, që për hir të së vërtetë ishin vetëm disa “kokrra”, por gjithsesi doli, diçka që në Itali ndodh pas gati tre muajve e gjysmë, saktësisht pas 106 ditëve. Nëse konferenca e parë për shtyp doli pa vlerë sepse Juve-Milan u anulua, këtë herë nuk pritet të jetë kështu, pasi finalja e Kupës së Italisë, nesër në “Olimpiko” të Romës me 99.99 për qind të shanseve, do të luhet.

Sarri do të jetë përballë Napolit, një përballje që ende përmban nota të larta emocionale, për një napolitan dhe një ish-trajner të Napolit. “Më ngrihen nervat kur më thonë se nuk kam fituar asnjë trofe në Itali, – thekson ai, – unë ia kam dalë me ekipet e mia që të ngjitem çdo vit një kategori më lart, dhe kjo është një rrugë shumë e vështirë për t’u bërë. Kam dështuar vetë një herë. Gjithsesi, tani dua të ndihmoj djemtë për të fituar një trofe, për tifozët, për të gjithë ne”.

A mendon për Napolin? “Nuk kam mendime të së kaluarës, pasi duhet të jem i përqëndruar totalisht tek vetja jonë, – thotë ai, – mund të them vetëm që Napoli është skuadër e vështirë për t’u përballuar, sepse në ndeshje të caktuara është në nivel tepër të lartë”. Siç ndodhi dy vjet radhazi në Champions ndaj Liverpulit në grup, apo siç ndodhi me Juventusin që e mundi në ndeshjen e Serisë A në “San Paolo”.

Sfidanti.al