Mrekullia e Milanit, vetëm 45 milionë euro për vendin e dytë

Adriano Galiani është tallur shumë vitet e fundit me politikën e tij të kostove të ulëta, por duket se më në fund ai po e merr një revansh. Skuadra e krijuar nga krahu i djathtë i Berluskonit, natyrisht në bashkëpunim me trajnerin Montela, po tregon se mund të fitohet edhe pa shpenzuar shumë. Vendi i dytë që mbahet tani për tani në Serinë A, vjen pasi në verë u nxorrën nga arkat vetëm 45 milionë euro, diçka që në klube të tjerë të mëdhenj në Europë, nuk do të kishte mjaftuar për të blerë një yll të vetëm.

Milani ktheu në kohën e duhur nga huazimi Suson e Gabriel Paletë, ndërsa Montela vendosi “ta zbrazte” skuadrën nga lojtarët e mëparshëm që atij nuk i hynin në punë. U larguan Abiati, Aleks, Mekses, El Sharaui, Boateng, Menez. Me pak euro dhe me shumë forma huazimi, Montela ka tani në dorë një skuadër e cila mund të quhet e fortë sa për vendin e dytë.

Donaruma në portë, De Shilio, Romanjoli, Abate apo Paleta në mbrojtje, Bonaventura në mesfushë, ashtu si Kuçka e Lokateli. Lojtarë jo me emra të shkëlqyer, por që kanë krijuar një lojë kolektive dhe ofensive. Sulmi duket mrekulli me emrat e njohur si Baka e Niang, por edhe më të rinjtë Suso e Lapadula ardhur nga Peskara.

Prova e madhe e këtij Milani vjen që këtë fundjavë, kur do të përballet në “San Siro” me Juventusin.

B. Kuka